Përleshje me mjete të forta e të shtëna me armë – një i lënduar, 4 persona shoqërohen në polici
Një përleshje fizike e shoqëruar me të shtëna armësh ka ndodhur sot rreth orës 14:30 në qytetin e Podujevës, ku si pasojë një person ka mbetur i lënduar.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se i lënduari është goditur me një mjet të fortë – konkretisht një shkop – dhe është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë menjëherë Policia e Kosovës, e cila ka shoqëruar katër persona: një dëshmitar dhe tre të dyshuar për përfshirje në incident.
Hetimet janë në vazhdim me qëllim të zbardhjes së plotë të motiveve dhe rrethanave që çuan në këtë përleshje të dhunshme.
Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë lidhur me identitetin e të përfshirëve apo nëse është sekuestruar arma e zjarrit nga e cila dyshohet se janë shkrepur të shtëna.