Konfiskohen mbi 76 kilogramë marihuanë në Merdare, arrestohen tre të dyshuar pas operacionit “Bregdeti”
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar me sukses operacionin e koduar “Bregdeti”, i cili ka rezultuar me konfiskimin e mbi 76 kilogramëve narkotikë dhe arrestimin e tre personave të dyshuar.
Pas hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, më 21 janar 2026, rreth orës 23:00, afër pikëkalimit kufitar në Merdare, është ndaluar i dyshuari H.S., i cili po drejtonte një kamion me targa vendore.
Gjatë kontrollit të mjetit janë gjetur të fshehura 68 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme 76 kilogramë e 800 gramë.
Me urdhër të prokurorit, është kryer edhe bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, ku janë sekuestruar një armë zjarri me pesë fishekë, dy vetura, një kamion, një telefon celular dhe 2 mijë e 950 euro para të gatshme.
Operacioni ka vazhduar më 22 janar 2026 me bastisje në dy lokacione të tjera në fshatin Godishnjak të Podujevës, shtëpitë e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë. Gjatë kontrolleve janë gjetur katër paketime me marihuanë me peshë 4 kilogramë e 454 gramë, dy vetura, dy telefona celularë, thasë najloni dhe mjete që dyshohet se janë përdorur për paketimin e narkotikëve, si dhe një armë zjarri me gaz e modelit “Signasauser”.
Me vendim të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit.
Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, me qëllim garantimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
