Pas reshjeve të shiut Policia apelon për kujdes të shtuar në rrugët Shtërpcë-Brezovicë-Prevallë

04.11.2025

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë apel të gjithë shoferëve që qarkullojnë në rrugët malore Shtërpcë-Brezovicë, Shtërpcë-Prevallë, Kaçanik-Hani Elezit dhe Glloboçicë që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes.

Sipas njoftimit zyrtar, reshjet e shiut kanë shkaktuar rrugë të lagështa, dukshmëri të kufizuar dhe rrezik të shtuar për aksidente trafiku.

Në disa segmente mund të ketë edhe shembje gurësh, rrëshqitje dhe pengesa të tjera që rrezikojnë qarkullimin e automjeteve.

Policia ka dhënë këshilla për një ngasje të sigurt:

  • Mbani dritat ndezur për të rritur dukshmërinë.
  • Zvogëloni shpejtësinë dhe ruani distancë të sigurt nga automjetet përpara.
  • Shmangni shpërqendrimet, përfshirë përdorimin e telefonit gjatë ngasjes.
  • Tregoni kujdes shtesë ndaj shembjeve të gurëve dhe pengesave të papritura në rrugë.

“Siguria është në duart tuaja,” thekson Policia Rajonale e Ferizajt, duke rikujtuar se reshjet kërkojnë përgjegjësi dhe kujdes më të madh në trafik.

Për çdo nevojë, incident apo aksident, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë në 192 ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.