Arrestohet i dyshuari që mashtronte qytetarët duke u prezantuar si agjent i AKI-së
Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Prishtinë një person të dyshuar për mashtrim, i cili dyshohet se ishte prezantuar rrejshëm si punonjës i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke kërkuar para në këmbim të premtimeve për punësim në këtë institucion.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari me inicialet D.N. dyshohet se këtë veprimtari e kishte zhvilluar nga fillimi i vitit 2025 deri në tetor të vitit 2026, kur edhe ishte raportuar rasti.
Arrestimi është realizuar nga hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me AKI-në dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pas sigurimit të provave dhe dëshmive të nevojshme.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj personave që premtojnë punësim në institucione publike në këmbim të parave dhe që rastet e tilla t’i raportojnë tek organet kompetente.
