Mbi 2 mijë e 300 gjoba trafiku në 24 orë – 58 aksidente në rrugët e Kosovës

25.10.2025

Policia e Kosovës përmes raportit të saj 24-orësh ka njoftuar se gjatë kësaj kohe në vend janë shqiptuar mbi 2 mijë e 300 gjoba trafiku.

Nga policia është deklaruar se janë raportuar gjithsej 34 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 24 të tjera me persona të lënduar.

Po ashtu, është bërë e ditur se gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 31 persona për vepra të ndryshme penale.

Sipas Policisë së Kosovës, numri i lartë i aksidenteve në vend mbetet shqetësues, ndërsa shkaqet kryesore që çojnë në këto ngjarje fatkeqe janë të përsëritura dhe lidhen kryesisht me pakujdesinë e drejtuesve të automjeteve.

Mosrespektimi i kufizimit të shpejtësisë, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit dhe përdorimi i telefonit gjatë vozitjes përmenden si ndër arsyet më të shpeshta të aksidenteve në rrugët e vendit.

Po ashtu, mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës dhe të motit, gjendja teknike e dobët e automjeteve si frenat apo gomat, si dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit nga këmbësorët e vozitësit, janë faktorë që ndikojnë ndjeshëm në rritjen e numrit të aksidenteve.