Kërcënoi me armë dy persona, arrestohet 59-vjeçari G.T. në Prizren
Një incident me armë zjarri është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Prizren, ku një person është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur dy persona me armë në një lokal nate.
Sipas burimeve nga Prokuroria Themelore në Prizren, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 në lokalin “Swiss” në lagjen Arbane. Dyshohet se G.T., rreth 59-vjeçar, pas një konflikti verbal, ka përdorur një armë për të kërcënuar B.Sh., rreth 59-vjeçar, dhe B.R., rreth 27-vjeçare.
Menjëherë pas raportimit, patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili kishte në posedim një armë zjarri. Arma dhe municioni janë sekuestruar nga njësia e forenzikës si prova materiale.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, ndaj të dyshuarit është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Kanosje”.
Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të incidentit.