Osmani: Bashkë mund t’i tejkalojmë sfidat!
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot komunat e Gjakovës dhe Malishevës për të parë nga afër situatën e krijuar pas vërshimeve dhe për t’u njohur me nevojat e qytetarëve të prekur, përfshirë familjet që janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.
Gjatë vizitës, presidentja Osmani u takua me kryetarët e dy komunave, Ardian Gjinin dhe Ekrem Kastratin, si dhe me disa nga familjet e prekura nga vërshimet. Ajo theksoi rëndësinë e koordinimit institucional për të siguruar që asnjë familje të mos mbetet pa mbështetjen e nevojshme.
Presidentja Osmani vlerësoi se situata të tilla dëshmojnë rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, sidomos në momente të vështira si këto.
Po ashtu, ajo shprehu falënderim të veçantë për ekipet e emergjencës, si ato lokale ashtu edhe qendrore, për Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, të cilët, sipas saj, kanë qenë në krye të detyrës duke mbrojtur jetët dhe pronat e qytetarëve.
Presidentja Osmani bëri të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet në gjendje gatishmërie për të reaguar në rast nevoje.

Foto: Vjosa Osmani