Gjashtë raste të dhunës në familje raportohen brenda 24 orëve në Kosovë
Policia e Kosovës ka raportuar për gjashtë raste të dhunës në familje të evidentuara vetëm gjatë 24 orëve të fundit në disa komuna të vendit.
Rastet janë trajtuar në Prishtinë, Klinë, Pejë, Deçan, Skenderaj dhe Mitrovicë, ku disa të dyshuar janë arrestuar dhe disa të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në Prishtinë, më 27 tetor rreth orës 10:21, është shoqëruar në stacionin policor një person i dyshuar për ushtrim dhune ndaj një gruaje kosovare. Me urdhër të prokurorit, rasti do të vazhdojë të trajtohet në gjendje të lirë.
Në Klinë, më 26 tetor në orën 23:20, është arrestuar një burrë kosovar pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshorten e tij, ndaj së cilës dyshohet se ka ushtruar dhunë. Viktima ka marrë ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.
Rast i ngjashëm është raportuar edhe në Pejë, më 27 tetor rreth orës 16:00, ku një burrë është arrestuar nën dyshimin për dhunë ndaj bashkëshortes. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Në Deçan, më 27 tetor në orën 20:30, policia ka arrestuar një burrë që dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj disa anëtarëve të familjes. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është ndaluar me urdhër të prokurorit.
Po ashtu, në Skenderaj, më 27 tetor në orën 17:30, është arrestuar një burrë kosovar pasi ka ushtruar dhunë ndaj viktimës femër. Policia ka bërë të ditur se pas testit të alkoolit, i dyshuari ka rezultuar pozitiv, dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërkaq, në Mitrovicë, më 27 tetor në orën 13:00, është raportuar një tjetër rast dhune në familje. Të dyja palët janë intervistuar, dhe pas vendimit të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës ka bërë apel që qytetarët të raportojnë çdo formë të dhunës në familje, duke theksuar se toleranca ndaj dhunës është zero dhe se autorët do të përballen me ligjin.