Dy turq arrestohen në Aeroportin e Prishtinës, prezantuan pasaporta franceze false

07.12.2024

Dy shtetas të Turqisë janë arrestuar ditën e premte në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pasi u kapën duke përdorur pasaporta franceze të falsifikuara.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të dy të dyshuarit, një mashkull dhe një femër, janë arrestuar rreth orës 14:00 gjatë procedurave të kontrollit pasaportave. Gjatë legjitimimit, ata kanë paraqitur pasaporta franceze që mbanin emra të personave të tjerë dhe për të cilat dyshohet se janë falsifikime.

“Dokumentet e dyshuara për falsifikim janë sekuestruar, ndërsa të dyshuarit, me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e këtij rasti dhe për të identifikuar personat e përfshirë në falsifikimin e këtyre dokumenteve.