Burrë e grua rrihen mes vete në Malishevë, dërgohen në mbajtje për 48 orë

05.11.2025

Një rast i dhunës në familje është raportuar ditën e djeshme në fshatin Lladroc të komunës së Malishevës, ku një burrë dhe një grua janë arrestuar pasi kanë ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit.

Sipas burimeve nga Policia e Kosovës, incidenti ka ndodhur më 04 nëntor 2025, rreth orës 17:00, kur Stacioni Policor Malishevë ka pranuar informatën për një përleshje brenda familjes.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë siguruar palët dhe kanë marrë deklaratat e tyre. Në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar S.Z. (61 vjeç) dhe Z.Z. (55 vjeçe).

Sipas deklarimeve të dhëna para hetuesve, konflikti kishte nisur për një arsye banale – mos-përgatitjen e bukës – që fillimisht kishte shkaktuar një debat verbal, e më pas kishte përfunduar me goditje fizike të ndërsjella.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është cilësuar si “Dhunë në familje”, ndërsa të dy personat e përfshirë janë dërguar në mbajtje për 48 orë.