Bastisje dhe arrestim në Zveçan: Policia sekuestron arsenal armësh dhe municioni
Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion të suksesshëm në dy lokacione në Zveçan, ku si rezultat u sekuestrua një sasi e konsiderueshme armësh, municionesh dhe pajisjesh ushtarake.
Ky aksion çoi në arrestimin e një 73-vjeçari dhe hapjen e dy rasteve penale për posedim të paautorizuar të armëve.
Aksioni i parë u zhvillua në lagjen Korile, ku Policia bastisi shtëpinë e personit me iniciale S.G., 73 vjeç. Gjatë kontrollit, i dyshuari deklaroi se dy armë që kishte me leje të UNMIK-ut i kishte dërguar në Serbi, por në shtëpinë e tij u gjet një sasi e vogël municioni.
Bazuar në informata operative dhe dyshime të arsyeshme, Policia kreu bastisje shtesë në objektet përcjellëse të shtëpisë, veprim i cili rezultoi me zbulimin e një arsenali të vërtetë. Ndër materialet e sekuestruara përfshihen:
- Armë dhe municion: Një armë e gjatë e çmontuar me dy karikatorë plot me 60 fishekë, 50 fishekë për pistoletë, dy karikatorë bosh për armë të gjata dhe dy paketime me sfera (thashme) për mbushje fishekësh gjuetie.
- Pajisje shpërthyese: 49 detonatorë elektrikë, një fitil ngadalëndezës për eksploziv dhe një detonator mekanik.
- Pajisje shtesë: Një thikë bajonetë, një këllëf për armë, një pajisje matëse distance dhe një makinë për mbushjen e municionit.
I dyshuari S.G. u arrestua dhe, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, prokurori i shtetit i caktoi masën e ndalimit prej 48 orësh. Ai akuzohet për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Një tjetër kontroll u krye në një shtëpi në rrugën “Prote Stojana” në Zveçan, ku u zbuluan dhe u sekuestruan:
- Një pushkë gjuetie.
- 12 fishekë për pushkë gjuetie.
- 15 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm.
- Dy sfera të fishekëve të gjuetisë dhe një rrip për mbajtjen e tyre.
Në këtë rast, Policia ende nuk ka arrestuar ndonjë person, por ka njoftuar se po kërkon të intervistojë një person si i dyshuar. Edhe për këtë rast është iniciuar procedurë penale për të njëjtin veprim.