Babë e bijë përleshen në Rahovec, të dy përfundojnë në ndalim policor
Një rast i dhunës në familje është raportuar pasditen e së hënës në Rahovec, ku një konflikt mes babait dhe vajzës së tij ka degjeneruar në përleshje fizike, duke përfunduar me ndalimin e të dyve.
Sipas burimeve të Sinjalit nga strukturat hetimore, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 në rrugën “Ramize Xhevdet Krasniqi”. Ankuesja, S.H., rreth 16 vjeç, ka deklaruar se ka pasur mosmarrëveshje me prindin e saj, R.H., rreth 40 vjeç, i cili e ka goditur me një mjet të fortë në kokë.
Nga ana tjetër, i dyshuari ka mohuar akuzat, duke deklaruar se vajza e tij e kishte goditur me një shkop druri. Në cilësinë e dëshmitares është intervistuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit, M.G., e cila ka thënë se nuk ka parë momentin e përleshjes.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është regjistruar si “Dhunë në familje”, ndërsa R.H. është ndaluar për 48 orë, ndërsa S.H. për 24 orë me vendim të Prokurores për të Mitur.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë individuale janë në vazhdim.