Rahoveci ndër zonat më të goditura nga vërshimet, priten vlerësimet e dëmeve

27.07.2026

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime të mëdha në disa zona të rajonit të Prizrenit, ndërsa Rahoveci është ndër komunat më të prekura.

Uji ka përfshirë rrugë, parkingje dhe oborre të shtëpive, duke shkaktuar dëme materiale. Banorët kanë raportuar se përmbytjet u kanë dëmtuar pajisje dhe mjete të ndryshme brenda shtëpive.

Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në bujqësi. Shumë fermerë kanë humbur të mbjellat e tyre, ndërsa në disa zona janë dëmtuar vreshtat, pemishtet dhe kulturat e perimeve. Një fermer nga Rahoveci ka deklaruar se vërshimet i kanë shkatërruar tërësisht të mbjellat në një sipërfaqe prej 45 ari me pjepër.

Drejtoria për Emergjenca dhe Shpëtim ka bërë të ditur se ekipet kanë qenë në terren për t’u ofruar ndihmë qytetarëve, ndërsa vlerësimi i saktë i dëmeve pritet të bëhet në ditët në vijim nga komisionet komunale.

Ndërkohë, reshjet intensive kanë shkaktuar vështirësi të përkohshme në qarkullim edhe në Prizren, ku uji ka bllokuar disa pika të kanalizimit rrugor. Situata në këtë komunë është normalizuar pas mesditës dhe nuk janë raportuar dëme të mëdha materiale apo persona të lënduar.