Arrestohet dhëndri i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë, policia thotë se ai u gjet i plagosur
Një ngjarje e rëndë tronditi dje fshatin Golluboc të Komunës së Malishevës, ku dy vëllezër mbetën të vrarë në oborrin e shtëpisë së tyre. I dyshuari për këtë vrasje të dyfishtë është dhëndri i viktimave, personi me inicialet A.I.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar ishte arratisur nga vendi i krimit, por mëngjesin e sotëm ai është kapur nga Policia e Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin drejtori i Policisë Rajonale në Gjakovë, Lumni Graishta.
“Po, sot rreth orës 06:30 është arrestuar i dyshuari. Ai ka qenë i plagosur dhe pas dhënies së ndihmës së parë është dërguar për trajtim në QKUK”, ka deklaruar Graishta.
Arrestimin e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë, e cila ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Golluboc, është arrestuar personi i dyshuar A.I., i cili më parë kishte qenë në arrati. Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tutje, Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Ndërkohë, burime të afërta me hetimet bëjnë të ditur se A.I. dyshohet të ketë pasur më parë probleme me ligjin. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ndaj tij më herët ishte ngritur aktakuzë për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.
“Prokurori i shtetit ndaj personit të dyshuar A.I. më datë 06.04.2025 ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila i është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu, më 07.04.2025 Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.I. për veprat penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’”, ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala.
Policia ka njoftuar se vrasja e dyfishtë ka ndodhur dje rreth orës 11:00 në fshatin Golluboc të Malishevës. Hetimet rreth motivit dhe rrethanave të plota të ngjarjes po vazhdojnë.