Vrasje e rëndë në Gjilan, 29-vjeçari qëllohet për vdekje me armë zjarri

11.10.2026

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku një 29-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Rasti ka ndodhur rreth orës 19:30, ndërsa vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka konfirmuar për IndeksOnline se i dyshuari, një mashkull kosovar i njohur për Policinë, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është në kërkim policor.

Sipas informacioneve fillestare të raportuara nga IndeksOnline, dyshohet se viktima dhe i dyshuari kanë lidhje familjare, megjithëse kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.