Arrestohet 27-vjeçari në Kramovik të Rahovecit, i gjenden armë dhe mbi 120 fishekë gjatë kontrollit në shtëpi

09.12.2025

Një incident i rëndë sigurie është regjistruar mëngjesin e djeshëm në fshatin Kramovik të Rahovecit, gjatë zhvillimit të hetimeve për një rast të “vjedhjes së rëndë”.

Sipas informatave të siguruara policia ka kryer një kontroll në shtëpinë e të dyshuarit A.Th., me urdhër verbal të Prokurorit të Shtetit.

Kontrolli është realizuar rreth orës 09:30 nga njësia hetimore e Stacionit Policor në Rahovec, ku janë gjetur dhe konfiskuar armë dhe municion të konsiderueshëm. Sipas burimeve, policia ka sekuestruar:

  • Një pistoletë Elite, prodhim gjerman
  • Një karikator
  • 7 fishekë kalibër 7.65 mm me gaz
  • 120 fishekë kalibër 7.62 mm

Në momentin e gjetjes së armëve, i dyshuari është arrestuar në vendngjarje. Ai është dërguar në stacion policor dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Pas procedurave fillestare, Prokurori i Shtetit ka vendosur masën e ndalimit prej 48 orësh ndaj të dyshuarit. Rasti po hetohet në drejtim të veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.