Arrestohen tre persona të dyshuar për vjedhje, policia publikon inicialet dhe moshën e tyre

13.11.2025

Policia e Kosovës ka realizuar sot një operacion policor të suksesshëm në kryeqytet, i cili ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të vjedhjeve.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit, aksioni u zhvillua pas veprimeve operative dhe informatave të siguruara nga Njësia e Inteligjencës e Stacionit Policor Qendra në Prishtinë.

Si rezultat, janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhje”, si dhe një person tjetër për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara nga kryerja e veprës penale”.

Të arrestuarit janë:

  • A.H. (mashkull, 44 vjeç),
  • E.I. (mashkull, 32 vjeç), dhe
  • A.Z. (mashkull, 25 vjeç).

Hetimet e mëtejme janë zhvilluar nga Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, i cili ka arritur të sigurojë prova dhe dëshmi lidhur me rreth 10 raste të vjedhjeve, ku dyshohet se janë përfshirë personat e arrestuar.

Gjatë operacionit, policia ka gjetur dhe sekuestruar disa sende të dyshuara si të përfituara nga këto vepra penale. Sipas autoriteteve, pas përfundimit të procedurave ligjore, këto sende do t’u kthehen pronarëve legjitimë.

Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastet e lidhura me ta po vazhdojnë.