Arrestohen dy të rinjë në Samadrexhë, nën kërcënimin e armës ia morën kamionin shoferit

26.09.2025

Një incident i rëndë është regjistruar paraditen e 24 shtatorit në rrugën magjistrale Suharekë–Rahovec, në fshatin Samadrexhë.

Dy persona të armatosur i kanë prerë rrugën një kamioni dhe nën kërcënimin e armës ia kanë marrë atë shoferit.

Burimet e Sinjalit brenda Policisë bëjnë të ditur se të dyshuarit janë B.S, rreth 28-vjeçaar dhe E.S, rreth 26-vjeçar.

Ata kanë lëvizur me një automjet “pikap” ngjyrë të kuqe dhe kanë ndalur kamionin që po e drejtonte punëtori i kompanisë. Pas daljes nga vetura, njëri prej tyre ka vendosur dorën në bel duke lënë të kuptohet se është i armatosur dhe i kanë kërkuar shoferit të zbresë. Ky i fundit, nga frika, ka lëshuar automjetin, të cilin më pas e kanë marrë të dyshuarit.

Pas denoncimit të rastit, viktima – pronari i kompanisë S.E., rreth 60-vjeçar – ka dhënë deklaratën e tij dhe Policia ka arritur t’i identifikojë të rinjtë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari B.S është ndaluar fillimisht për 48 orë. Një ditë më vonë, më 25 shtator, Policia ka ushtruar kontroll në shtëpinë e tyre, ku ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë model Bloë dhe një karikator, që ndërlidhen me rastin. Pas intervistimit, edhe E.S është ndaluar për 48 orë, si bashkëkryes i veprës penale “Vetëgjyqësi”.

Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor, ndërsa arma dhe municioni i sekuestruar janë dorëzuar si prova materiale. Hetimet lidhur me këtë rast të rëndë po vazhdojnë./Sinjali/