17-vjeçarja nga Malisheva rreh nënën e saj, 47-vjeçarja dërgohet në QKUK për trajtim mjekësor

10.12.2025

Një rast i dhunës në familje është raportuar të martën, më 9 dhjetor 2025, rreth orës 13:00, në Rrugën “Adem Jashari” në Malishevë.

Sipas burimeve të besueshme pranë strukturave hetimore, një grua ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe institucionale pas një sulmi fizik që dyshohet se i është shkaktuar nga vajza e saj.

Viktima, M.Z., rreth 47-vjeçare, ka deklaruar se është goditur fizikisht nga e dyshuara Y.B., e mitur, rreth 17-vjeçare. Situata është raportuar të ketë ndodhur brenda familjes, ndërsa viktima, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore dhe sëmundjeve kronike, është paraqitur fillimisht në QKMF Malishevë. Nga aty, mjekët e kanë udhëzuar të transferohet në QKUK në Prishtinë për trajtim dhe vlerësim të mëtejshëm.

Për shkak të gjendjes shëndetësore, intervistimi i viktimës është shtyrë nga hetuesit.

Me autorizim të Prokurorit kujdestar, është iniciuar rasti “Dhunë në familje”. E dyshuara, pas intervistimit në stacion policor, është liruar në procedurë të rregullt.

Lënda do të vazhdojë të trajtohet sipas procedurave të parapara ligjore, ndërsa hetimet janë ende në vazhdim./sinjali/