16-vjeçarja R.H. nga Malisheva denoncon dhunimin – Videot e aktit dyshohet se i mituri i ka shpërndarë në rrjete sociale
Rastet e dhunës në familje, ngacmimeve, sulmeve seksuale dhe dhunimeve po vazhdojnë të godasin gratë e vajzat në Kosovë, duke përfshirë edhe ato nën moshën 18-vjeçare. Këto raste marrin përmasa edhe më të rënda kur viktimat janë të mitura.
Një rast i tillë tronditës është raportuar së fundmi në Malishevë, ku një vajzë e mitur ka deklaruar se është dhunuar nga një person, i cili dyshohet se është po ashtu i mitur. Më shqetësuese është fakti se video-incizimet e aktit dyshohet se janë shpërndarë më pas në rrjete sociale.
Ngjarja ndodhi pesë muaj më parë, u raportua dje
Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur rreth pesë muajsh më parë, në rrugën “Ibrahim Mazreku”. Rasti është paraqitur në polici më 05 dhjetor 2025.
Nga burime brenda hetimit, mësohet se viktima R.H., rreth 16 vjeç, në prani të Punëtorit Social të QPS-së, ka rrëfyer se kishte qenë në lidhje me të dyshuarin. Ajo ka deklaruar se e njeh vetëm me emër dhe nuk është e sigurt për identitetin e tij të plotë.
Video-incizimet janë shpërndarë në rrjete sociale
E mitura ka treguar se gjatë kohës kur kishte kontakt me të dyshuarin, ai kishte kryer marrëdhënie me të dhe kishte realizuar video-incizime të aktit. Ditëve të fundit, ato incizime dyshohet se janë shpërndarë publikisht në rrjete sociale.
Ky veprim përbën jo vetëm shkelje të rëndë penale, por edhe një dëm të jashtëzakonshëm psikologjik për viktimën, e cila tashmë po trajtohet nga profesionistët relevantë.
Prokuroria nis procedurat – Policia në kërkim të të dyshuarit
Prokurori kujdestar për të mitur është njoftuar menjëherë dhe ka urdhëruar të iniciohet rasti “Dhunim”. Ndërkohë, Njësia e Hetimeve Rajonale është angazhuar në identifikimin e personit të dyshuar dhe në mbledhjen e provave, përfshirë materialet video dhe të gjitha rrethanat që lidhen me ngjarjen.
Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien e të dyshuarit përpara drejtësisë.
Ky rast rikthen edhe një herë në vëmendje nevojën urgjente për mbrojtje më të madhe të të miturve dhe rritjen e vetëdijes kundër dhunës seksuale në vend./sinjali.