Dhuna ndaj grave nuk ka të ndalur, të hënën policia arrestoi dy të dyshuar një në Mushtisht dhe një në Prizren
- 06.12.2022

Dhuna në familje vazhdon të mbetet njëra nga çështjet më shqetësuese të shoqërisë, të cilat pothuajse çdo ditë raportohen në Policinë e Kosovës.
Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre, por kanë frikë t’i denoncojnë.
Gjatë ditës së hënë në Stacionin Policor në Suharekë edhe në atë të Prizrenit janë lajmëruar dy raste të dhunës në familje.
Policia e Kosovës bën të ditur se gjatë ditës së hënë në dy raste të ndara viktimat femra, kanë raportuar se janë sulmuar fizikisht nga bashkëshortët e tyre.
Gruaja nga Prizreni e kishte raportuar burrin e saj si pasoj që i njejti vazhdimisht kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës.
Ndërsa, ajo nga fshati Mushtisht fillimisht nuk ka guxuar të jap deklaratë për shkak të frikës nga burri i saj, e më pas ka rrëfyer kërcënimet dhe dhunën që ka përjetuar nga i dyshuari. Në shtëpinë e tyre, policia ka gjetur disa gëzhoja, çka ka ngritur dyshimet se burri i dyshuar posedon armë pa autorizim.
Kjo ka bërë që të bëhet kërkesë për kontroll në këtë shtëpi, me ç’rast u gjetën dy armë e dhjetëra fishekë që u konfiskuan nga policia.
Policia bën të ditur se të dy të dyshuari janë arrestuar, pastaj me vendim të prokurorit i dyshuari nga Prizreni është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa, i dyshuari nga Mushtishti i Suharekës është dërguar në mbajtje.