Aktakuzë për laboratorin e drogës në Prizren – nëntë persona përballen me drejtësinë

02.12.2025

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave në lidhje me laboratorin e drogës të zbuluar më 23 prill 2025 në Prizren.

Të pandehurit K.R., L.B., D.M., Sh.K., F.H., M.S., A.S., E.M. dhe B.M. akuzohen për veprime që lidhen me kultivimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, kryesisht bimës “kanabis sativa”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R., L.B., D.M., E.M., F.H., Sh.K., M.S. dhe A.S. kanë vepruar së bashku si anëtarë të një grupi të organizuar, duke shfrytëzuar dy banesa në lagjen “Dardania” në Prizren për të krijuar një laborator të sofistikuar indoor për kultivimin e kanabisit. Laboratori ishte i pajisur me llamba profesionale, sisteme ventilimi, pesticide, matës temperaturash dhe pajisje të tjera mbështetëse, dhe aty u rritën 175 bimë të kanabisit. Me këto veprime, të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Kultivimit të bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” sipas nenit 272 të KPRK-së.

Aktakuza përfshin gjithashtu akuzën se disa nga të pandehurit, përkatësisht D.M., E.M., M.S. dhe A.S., kishin për qëllim shitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike të përfituar nga kultivimi, përmes tharjes, paketimit dhe përgatitjes për shpërndarje. Këto veprime përbëjnë shkelje të nenit 267 të KPRK-së për “Blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve”.

Sipas prokurorisë, të pandehurit K.R. dhe L.B. kanë kryer shpërndarje dhe shitje të substancave narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë në Prizren, Prishtinë dhe Fushë Kosovë, duke përfshirë edhe shitjen e 2 kg marihuanë në këmbim të një veture “Audi A6”. Gjatë bastisjeve, autoritetet sekuestruan gjithsej 451.91 gram kokainë, para të gatshme dhe pajisje të tjera për ndarjen dhe peshimin e lëndëve narkotike.

Ndërkaq, i pandehuri B.M. akuzohet se ka ndihmuar në kultivimin e kanabisit duke informuar të pandehurit e tjerë për lëvizje të dyshimta që mund të çonin në zbulimin e laboratorit nga policia, duke u bërë pjesë e bashkëkryerjes së veprës penale të kultivimit të kanabisit.

Prokurori ka propozuar gjithashtu konfiskimin e mjeteve dhe sendeve të përdorura për kryerjen e veprave penale dhe përfitimeve të fituara nga krimi, përfshirë dy banesa në Prizren, dy vetura, narkotikët e sekuestruar, telefona mobil dhe para të gatshme në shumën prej 1,020 euro dhe 30 franga zvicerane.

Aktakuza e ngritur ndaj të pandehurve parashikon që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohen.