Zgjedhjet Lokale 2025, KQZ apel partive politike të deklarojnë koalicionet deri më 23 qershor

para 38 dite

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se afatet e aktiviteteve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025, janë duke u zhvilluar intensivisht.

Zgjedhjet Lokale 2025, KQZ apel partive politike të deklarojnë koalicionet deri më 23 qershor

KQZ-ja u bën thirrje të gjitha partive politike që kanë afat deri më 23 qershor për të deklaruar koalicionet e tyre. Po deri në këtë datë, partitë që nuk duan të bëhen pjesë e zgjedhjeve duhet ta njoftojnë KQZ-në. Ky afat ka nisur të rrjedhë nga 9 qershori.

“KQZ njofton të gjitha partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës se deri më 23 qershor 2025 duhet ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike se do të kërkojë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit. Gjithashtu, brenda këtij afati, partitë politike duhet ta njoftojnë Zyrën, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Institucioni që organizon zgjedhjet ka vënë në dispozicion edhe një numër kontakti për të gjithë ata që kanë nevojë për informacione shtesë: 038 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, brenda 15 ditëve nga shpallja e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Kosovës, partia politike e regjistruar që nuk dëshiron të certifikohet për zgjedhje duhet të njoftojë Zyrën se nuk garon, ose se do të kërkojë certifikim përmes koalicionit, në përputhje me këtë ligj.

Etiketat

Ofertat e fundit