Zgjedhjet Lokale 2025: Më 23 korrik fillon regjistrimi për votuesit jashtë vendit
Shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi të votojnë edhe në zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe kuvende komunale, përveç atyre për Kuvendin e Kosovës.
Kjo vlen nëse ata aplikojnë dhe regjistrohen me sukses për votim jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka konfirmuar për RTKlive se afati për regjistrimin e votuesve jashtë vendit do të jetë 38 ditë, duke filluar nga 23 korriku deri më 29 gusht 2025.
Sipas tij, aplikimi mund të bëhet online përmes platformës elektronike të KQZ-së ose përmes postës, duke dërguar dokumentacionin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Çdo aplikim duhet të bëhet individualisht.
Vetëm votim përmes postës në zgjedhjet lokale
Ndryshe nga zgjedhjet për Kuvend, në zgjedhjet lokale nuk aplikohet votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh që për këtë lloj zgjedhjesh, votimi nga jashtë bëhet vetëm përmes postës.
KQZ-ja do të dërgojë me postë pakot me fletëvotime për të gjithë votuesit që regjistrohen suksesshëm, dhe koston e dërgimit do ta mbulojë vetë KQZ.
“Votuesit do të duhet ta dërgojnë pakon me fletëvotime në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së, të cilat do të hapen në disa shtete dhe në Kosovë,” tha Elezi.
Afatet e votimit me postë
Sipas vendimit të KQZ-së, votimi përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025, një ditë para zgjedhjeve në Kosovë.
KQZ apelon te qytetarët e diasporës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të regjistrohen brenda afatit të caktuar, për të marrë pjesë në procesin zgjedhor edhe nga jashtë vendit.