Veteranët e UÇK-së kërcënojnë me protesta nëse nuk rriten pensionet e tyre

22.05.2021

Gjatë javës së kaluar Qeveria e Kosovës kishte mbajtur një mbledhje, ku u diskutua dhe u miratua programi qeverisës. Ndërsa, pas mbledhjes Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për media, ku edhe ka bërë të ditura detaje të programit qeverisës. Kryeministri Kurti ndër tjerash ka thënë se paga minimale në vendin tonë […]

Veteranët e UÇK-së kërcënojnë me protesta nëse nuk rriten pensionet e tyre Foto: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)

Gjatë javës së kaluar Qeveria e Kosovës kishte mbajtur një mbledhje, ku u diskutua dhe u miratua programi qeverisës.

Ndërsa, pas mbledhjes Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për media, ku edhe ka bërë të ditura detaje të programit qeverisës.

Kryeministri Kurti ndër tjerash ka thënë se paga minimale në vendin tonë do të bëhet 250 euro.

Ndërsa rritja e pagës minimale është një shenjë pozitive për ekonominë e Kosovës, por kjo rritje pritet të sjellë pakënaqësi te veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pasi që pensionet e tyre nuk pritet të rriten e që këtë dikur e parashihet Ligji për Veteranët.

Ligji i miratuar më 2014 përkatësisht neni 18, parasheh lartësinë e shumës së pensioneve për këto kategori, ku ishte vendos që mos të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë.

Megjithëse, sipas zyrtarëve të Qeverisë Kurti 2, neni 18 i këtij ligji është shfuqizuar në vitin 2017 me ndryshimet ligjore të ligjit për veteranët dhe me këtë ndryshim nuk pritet të ketë rritje të pensioneve për këto kategori.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku nuk ka njohuri për këto ndryshime ligjore.

Ai pohon për KosovaPress se Ligji e specifikon qartë që veteranët nuk mund të kenë pensionet më të vogla se pagën minimale, dhe siç thekson ai nëse ndryshohet ligji, veteranët do të organizojnë protesta.

“Nuk mundet me u ndarë, sepse me ligj është e parashikuar që veterani e ka pensionin jo më të vogël se paga minimale. Në momentin që rritet paga minimale në Kosovë, rritet edhe pensioni i veteranit… S’është dashur të ndryshojë ligjin askush, qeveria e rritë pagën minimale, veteranit i rritet pensioni… Ligjin nuk e ndryshon Qeveria, por Kuvendi… Ligji e thotë që veterani nuk mund të ketë pensionin më të vogël se pagën minimale… Nëse ndryshohet ligji, veteranët i bëjnë protesta qeverisë. Pse ta ndryshojnë, e veç veteranët po u dashka me vuajt në këtë drejtim a dhe të kenë pasoja. Por, nuk ka thënë askush që do ta ndryshojë ligjin”, thotë Klinaku.

Ndryshe në Komunën e Suharekës është duke vazhduar të rritet numri i veteranëve të UÇK-së që marrin pension të veteranit nga shteti.

Në Komunën e Suharekës në muajin janar të këtij viti numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës ishte 1,604, ndërsa në muajin shkurt është rritur në 1,611 dhe në muajin mars përfitues ishin 1,613 persona.