Xhafer Gashi jep dorëheqje nga të gjitha pozitat në LDK: Atdheu përpara vetes
Ish-kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Gashi ka njoftuar se vendimin e ka marrë pas qëndrimit të LDK-së për të mos votuar ligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ky qëndrim ka shkaktuar indinjatë edhe te anëtarësia e Degës së LDK-së në Obiliq.
Në njoftimin e tij, Gashi ka theksuar se mbrojtja e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe kërkesa për drejtësi janë përgjegjësi që, sipas tij, tejkalojnë kufijtë partiakë.
Ai ka deklaruar se nuk mund t’i mbajë më pozitat e tij në LDK kur qëndrimi i partisë për këtë çështje bie ndesh me ndërgjegjen e tij dhe përgjegjësinë ndaj njerëzve që përfaqëson.
Gashi ka dhënë dorëheqje nga pozitat e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm, anëtarit të Kryesisë dhe kryetarit të Degës së LDK-së në Obiliq.
“Sot duhet ta vendosim atdheun përpara vetes dhe interesave të ngushta partiake”, ka shkruar Gashi, duke shtuar se vendimin e ka marrë personalisht dhe me përgjegjësi të plotë.
Në fund të reagimit, ai ka falënderuar familjen, anëtarësinë e LDK-së në Obiliq, asambleistët, bashkëpunëtorët dhe qytetarët për mbështetjen ndër vite.
“Pozitat mund t’i lëmë. Përgjegjësinë ndaj atdheut e mbajmë gjithë jetën”, ka përfunduar Gashi.
