“Ushtria Serbe frikësohej nga UÇK-ja”
Gjenerali amerikan Wesley Clark, në dëshminë e tij të parë në Gjykatën e Hagës, ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte një ushtri e përbërë nga individë të vetorganizuar dhe të motivuar, por pa një komandë dhe kontroll të qartë.
Foto: Ilustrim
Clark theksoi se Ushtria Serbe ishte e frikësuar nga këto grupe, megjithatë mungesa e një strukture të koordinuar e bënte situatën komplekse.
“Grupet ishin të pavarura dhe shpesh vepronin vetë. Ndonjëherë kapnin edhe persona të huaj, por nuk kishte mënyra komunikimi të qarta dhe as komandë të centralizuar. Unë nuk kisha asnjë dyshim që Ushtria Serbe ishte e frikësuar prej tyre,” deklaroi gjenerali amerikan.
Ai shtoi se UÇK-ja nuk kishte mekanizma për komandë dhe kontroll, ndërsa vëzhguesit amerikanë në kufirin Shqipëri-Kosovë nuk ishin në gjendje të mblidhnin informacion të besueshëm mbi veprimet e tyre.
“Komanda nënkupton autoritet, kontrolli është mënyra për ta mbikëqyrur dhe udhëzuar. Nga ajo që pamë, asnjë prej këtyre nuk ekzistonte,” tha Clark, duke përshkruar kështu karakterin e veprimeve të UÇK-së gjatë konfliktit.
Ky pohim i gjeneralit amerikan hedh dritë mbi strukturën dhe mënyrën e veprimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës së luftës.