Universiteti i Prishtinës shlyen borxhin mbi 20-vjeçar ndaj ATK-së, paguan mbi 441 mijë euro

07.11.2026

Universiteti i Prishtinës ka shlyer plotësisht obligimet financiare ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të cilat ishin akumuluar që nga viti 2002 dhe kishin arritur vlerën prej 441,493.18 eurosh.

Sipas njoftimit të universitetit, pagesa e plotë është përfunduar në nëntor të vitit 2026, duke i dhënë fund një obligimi financiar që e kishte përcjellë institucionin për më shumë se dy dekada.

Fillimisht, borxhi për kontributet pensionale dhe tatimet në burim ishte më pak se 3 mijë euro, por interesi dhe ndëshkimet e akumuluara ndër vite bënë që detyrimi të rritej në mbi 441 mijë euro.

Shlyerja e borxhit u mundësua përmes rishikimit të prioriteteve buxhetore gjatë vitit 2026 dhe koordinimit ndërmjet menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës, Këshillit Drejtues dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Nga Universiteti kanë bërë të ditur se përfundimi i këtij procesi do të ndikojë në stabilitetin financiar të institucionit, duke shmangur akumulimin e mëtejshëm të interesave dhe ndëshkimeve, si dhe procedurat e mundshme përmbarimore.

Me këtë rast, Universiteti i Prishtinës hyn në vitin e ri fiskal pa obligime financiare ndaj ATK-së, për herë të parë pas më shumë se 20 vjetësh.