Hoti: Kalaja e Kastërcit, pasuri e jashtëzakonshme për Suharekën dhe Kosovën

3 orë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka vizituar Kalanë e Kastërcit në Suharekë, ku nga afër është njohur me zbulimet arkeologjike dhe objektet e tjera që ndodhen brenda këtij lokaliteti historik.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka falënderuar Hamdi Bytyqin dhe vëllezërit e tij, pronarët e tokës ku ndodhet kalaja, për mikpritjen dhe prezantimin e gjetjeve arkeologjike.

Ai ka veçuar edhe përkushtimin e Nuhi Bytyqit, arsimtar i historisë, i cili për 50 vjet është marrë me këtë histori dhe ruajtjen e trashëgimisë së saj.

Hoti ka vlerësuar se Kalaja e Kastërcit përbën një dëshmi të rëndësishme të qytetërimit të hershëm në këto troje, duke theksuar nevojën për intensifikimin e hulumtimeve arkeologjike dhe përfshirjen e studiuesve vendorë e ndërkombëtarë.

Sipas tij, studimet duhet të shtrihen edhe në arkiva të qendrave të ndryshme botërore, me qëllim të dokumentimit sa më të plotë të historisë së vendbanimeve dhe kishave që kanë qenë pjesë e territorit të administruar nga Kalaja e Kastërcit.

Ai ka theksuar se ky lokalitet arkeologjik ka potencial të kontribuojë në zhvillimin e Suharekës dhe promovimin e turizmit kulturor në Kosovë.

Në këtë drejtim, Hoti ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Suharekës për hartimin dhe zbatimin e një plani konkret, që do ta kthente zonën e Kastërcit në një destinacion të rëndësishëm për vizitorët vendorë dhe të huaj.