Shaip Kamberi bashkëbisedon me studentët në Prishtinë, diskuton për pozitën e shqiptarëve në Luginë
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, në organizim të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës.
Përmes një postimi në Facebook, Kamberi bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe sfidat me të cilat përballen, si dhe për rolin e të rinjve në zhvillimet e ardhshme.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe zgjedhjeve të së dielës në Serbi, ku u theksua rëndësia e pjesëmarrjes së shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në procesin zgjedhor, ushtrimit të së drejtës së votës dhe përfaqësimit demokratik.
Në fund, Kamberi falënderoi Parlamentin Studentor të Universitetit të Prishtinës dhe studentët pjesëmarrës për kontributin e tyre në këtë bashkëbisedim.
