Hapet rruga për funksionalizimin e objektit të ri të FBV-së

04.03.2026

Universiteti i Prishtinës ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së një problemi madhor infrastrukturor, duke realizuar zhvendosjen e shtyllës së tensionit të lartë pranë objektit të ri të Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Kjo arritje është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të menaxhmentit të UP-së dhe drejtuesve të FBV-së, në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional.Zyra e Rektorit, nën udhëheqjen e Arben Hajrullahu, ka arritur të finalizojë me sukses largimin e shtyllës së tensionit të lartë që për më shumë se dhjetë vjet kishte penguar vënien në shfrytëzim të objektit të ri të fakultetit.

Me këtë veprim, krijohen parakushtet themelore për siguri infrastrukturore dhe për funksionalizimin e plotë të objektit.Objekti i ri i FBV-së kishte mbetur i pashfrytëzuar për shkak të afërsisë së rrezikshme me linjat e tensionit të lartë dhe pranisë së depove të KEDS-it në pronën e UP-së.

Situata kishte arritur deri në atë pikë sa personeli i UP-së ishte detyruar të bllokonte fizikisht hyrjen në këto hapësira, ndërsa rektori Hajrullahu kishte alarmuar publikisht për rrezikun e mosakreditimit të fakultetit për mungesë hapësire, në konferencën për media të mbajtur më 5 dhjetor 2025.Megjithëse depot e KEDS-it tashmë janë larguar, UP-ja vazhdon të përballet me shfrytëzim të paautorizuar të pronave të saj nga ndërmarrje afariste në afërsi të objektit të ri.

Rektori Hajrullahu ka apeluar sërish tek organet kompetente që të veprojnë pa vonesë për lirimin e plotë të pronave universitare, duke theksuar se pa këtë hap, funksionalizimi i objektit nuk do të jetë i mundur.Objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, i lënë për më shumë se një dekadë në kushte degradimi, kërkon tashmë investime shtesë për t’u përgatitur për pritjen e studentëve.

Sipas planifikimeve, synohet që objekti të jetë funksional dhe i gatshëm për vitin akademik 2026/2027, duke krijuar kushte moderne për mësim dhe kërkim shkencor.