Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit, e 55-ta me radhë

20.08.2025

Sot në ora 11:00 do të mbahet për të 55-tën herë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, proces ky që prej gjashtë muajsh mbetet i papërfunduar pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në shkurt.

Ngërçi kryesor ka mbetur tek zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, si partia me përqindjen më të madhe të votave, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare, por ky emër është kundërshtuar nga PDK, LDK dhe AAK, të cilat e konsiderojnë të papranueshëm.

PDK dhe AAK kërkojnë që Vetëvendosje të propozojë një kandidat tjetër, ndërsa kjo e fundit këmbëngul se ka të drejtë ta paraqesë kandidatin sipas vullnetit të saj politik. Ndërkohë, LDK ka deklaruar se nuk do të votojë asnjë emër të propozuar nga LVV.

Gjykata Kushtetuese ka rikujtuar përmes aktgjykimit të saj se konstituimi i Kuvendit është një akt kushtetues që duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve, përmes zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.

Megjithatë, edhe pas më shumë se gjysmë viti, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i bllokuar, ndërsa sot mbahet tentativa e 55-të për të përmbyllur këtë proces.