PDK e dërgon në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit, kërkon masë të përkohshme
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve dhe procedurave që lidhen me konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit të Kosovës.
Foto: Ilustrim
Kërkesa është dorëzuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.
PDK-ja konteston vendimin e 9 shtatorit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, vendimin procedural të 11 shtatorit për mënyrën e votimit të nënkryetarëve, si dhe konstatimin e 13 shtatorit për konstituimin e Legjislaturës XI.
Krahas kërkesës kryesore, PDK-ja ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese edhe vendosjen e një mase të përkohshme, me qëllim që të parandalohen, sipas saj, pasojat e mëtejshme juridike dhe institucionale deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se Kushtetuesja duhet të japë përgjigje përfundimtare lidhur me shkeljet që, sipas PDK-së, kanë përcjellë procesin e konstituimit të Kuvendit.
Ndërkaq, Përparim Gruda deklaroi se PDK-ja kërkon rikthimin e funksionimit institucional mbi bazën e Kushtetutës, ndërsa avokati Faton Fetahu bëri të ditur se masa e përkohshme është kërkuar për të parandaluar krijimin e pasojave të reja.
PDK-ja ka paralajmëruar se të martën do ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese edhe lëndën që lidhet me formimin e Qeverisë.
