PDK-ja ia kalon Golën, VV-ja refuzon Çitakun – ndërpritet seanca
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish të premten, pasi Vetëvendosja nuk e përkrahu kandidaten e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit, Vlora Çitaku.
Çitaku mori 44 vota për, ndërsa 56 deputetë abstenuan dhe një votoi kundër. Paraprakisht, deputetët e PDK-së e kishin përkrahur kandidatin e VV-së, Ardian Gola, i cili u zgjodh nënkryetar me 101 vota.
Pas dështimit të votimit për Çitakun, deputetët e PDK-së lëshuan sallën e Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i ftoi ata të propozonin një kandidat tjetër, por PDK-ja nuk e bëri një gjë të tillë dhe seanca u ndërpre.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia e tij nuk do të marrë më pjesë në seancat e Kuvendit dhe paralajmëroi se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, LDK-ja ka bërë të ditur se pas konsultimeve pret të rikthehet në sallë dhe të vazhdojë procesin e konstituimit.
Zgjedhja e nënkryetarëve është pjesë e procesit të konstituimit të Kuvendit, i cili ende nuk ka përfunduar.
