Sot takimi i fundit në Bruksel për çështjen e dinarit

13.05.2024

Të shtunën ka përfunduar periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës rreth çështjes së dinarit. Por, mediumi në gjuhën serbe “Kossev” nga veriu, raporton se dinari ende përdoret për pagesa atje. Sipas këtij raportimi policia nuk ka marrë urdhër për t’i gjobitur personat që përdorin për pagesë valutat e tjera përpos euros.

Sot takimi i fundit në Bruksel për çështjen e dinarit Foto: Kartëmonedha prej 20 dinarësh serb dhe kartëmonedhë e valutës euro.

Tash e sa ditë është raportuar se nesër pritet të jetë takimi i ri Kosovë-Serbi ndërsa BE pret që të jetë edhe i fundit. Megjithatë të dielën s’ka pasur njoftime nga asnjëra palë nëse negociatorët kanë udhëtuar drejt Brukselit.

Dinari ende në qarkullim

Megjithatë, dinari është ende në qarkullim në veri të Kosovës. Siç raporton Kossev, në pjesën veriore të Mitrovicës së Kosovës është e mundur të përdoret kjo monedhë në dyqane ushqimore dhe objekte të tjera.

Në disa kafene raportohet se janë në dijeni për dispozitat e Rregullores së BQK-së për valutat, por se ende bëjnë biznes me euro dhe dinarë.

Policia e rajonit të Veriut nuk ka marrë urdhra për gjoba

Policia e Kosovës e rajonit të Veriut nuk ka marrë asnjë urdhër.

Zëvendëskomandanti i PK-së për rajonin e Veriut, Veton Elshani, thotë se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë udhëzim.

Ai sqaron se me rastin e zbatimit të vendimeve është e nevojshme që qeveria e Kosovës të njoftojë drejtorinë qendrore të Policisë së Kosovës, e cila më pas lëshon urdhër për rajonet, në këtë rast rajonin e Veriut.

“Deri më tani nuk kemi marrë ndonjë direktivë”, tha Elshani.

Kossev shkruan se çështja e zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, gjegjësisht ndikimi i saj në komunitetin serb në Kosovë, i cili në masë të madhe varet nga të ardhurat nga Serbia, u bë pjesë e dialogut në Bruksel, ndonëse Prishtina e kundërshtoi. Të dyja palët kanë zhvilluar gjashtë takime në periudhën e kaluar.

Të gjitha këto përfunduan në të njëjtën mënyrë – me akuza të ndërsjella, pa zgjidhje konkrete, ndërsa Bashkimi Evropian në dy raste doli me propozimet e tij për zgjidhjen e financimit të komunitetit serb.

Takimi i ri është caktuar për nesër dhe siç ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, Bashkimi Evropian pret që ky takim në Bruksel për çështjen e dinarit të jetë i fundit.

Në periudhën tranzitore u zbatua një fushatë informuese për zbatimin e rregullores së BQK-së.

Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.