Gërvalla takon ambasadorin austriak, kërkon finalizimin e marrëveshjes për bashkëpunim gjyqësor në çështjet penale

22.10.2026

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë, forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe avancimin e reformave institucionale.

Sipas saj, themelimi dhe funksionalizimi i Byrosë, jetësimi i procesit të Vetingut, avancimi i pakos së projektligjeve të Reformës në Drejtësi dhe finalizimi i legjislacionit civil janë pjesë thelbësore e këtij angazhimi.

Ministrja ka theksuar se synimi është ndërtimi i institucioneve më të forta dhe garantimi i llogaridhënies, duke nënvizuar se askush, pavarësisht emrit, pozitës apo pushtetit, nuk qëndron mbi ligjin.

Gjatë takimit është diskutuar edhe rëndësia e finalizimit të Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Austrisë për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale, veçanërisht në fushën e ekstradimit, ndihmës së ndërsjellë juridike dhe transferimit të personave të dënuar.

Gërvalla ka vlerësuar Austrinë si një partner të rëndësishëm të Kosovës, duke theksuar se thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional do t’i shërbejë avancimit të reformave dhe konsolidimit të një sistemi drejtësie që garanton sundimin e ligjit.