BQK transferon 12 milionë euro në buxhetin e shtetit, viti i tretë radhazi me kontribut financiar

28.05.2026

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka ndarë 12 milionë euro për buxhetin e shtetit nga të ardhurat e realizuara gjatë vitit financiar 2025, duke shënuar vitin e tretë radhazi me transferim financiar për shtetin.

Sipas njoftimit të BQK-së, pasqyrat financiare vjetore për vitin 2025 janë audituar nga një auditor i jashtëm i pavarur dhe kanë marrë opinion të pastër, duke konfirmuar saktësinë dhe transparencën e raportimit financiar të institucionit.

BQK ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 ka realizuar të ardhura neto në vlerë prej 24 milionë euro. Në bazë të Ligjit për Bankën Qendrore, 50 për qind e të ardhurave të ndashme transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër ndahet për rezervat e përgjithshme të bankës.

Me transferimin e sivjetmë, vlera totale e mjeteve të ndara nga BQK për buxhetin e Kosovës në tri vitet e fundit ka arritur në afro 38 milionë euro.

Nga BQK u tha se ky rezultat reflekton forcimin e qeverisjes institucionale, transparencës dhe stabilitetit financiar, ndërsa u theksua se institucioni do të vazhdojë të ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të pavarur dhe profesionale.