BQK: Normat e interesit në kreditë bankare u rritën në 6.8% gjatë vitit 2025
Normat e interesit në kreditë e bankave komerciale në Kosovë kanë shënuar rritje gjatë vitit 2025, duke arritur në 6.8 për qind në dhjetor, krahasuar me 5.9 për qind një vit më herët.
Sipas Raportit Vjetor 2025 të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), rritja është vërejtur si te kreditë për korporatat jofinanciare ashtu edhe për ekonomitë familjare. Norma mesatare e interesit për bizneset arriti në 7.1 për qind, ndërsa për ekonomitë familjare në 6.4 për qind.
Raporti tregon se edhe normat e interesit në depozita kanë shënuar një rritje të lehtë, duke arritur në 3.5 për qind në fund të vitit 2025, nga 3.4 për qind sa ishin në vitin paraprak.
BQK thekson gjithashtu se gjatë vitit 2025 është rritur pjesëmarrja e kredive me normë fikse interesi, të cilat përbënin 72.6 për qind të totalit të kredive në dhjetor, krahasuar me 70.3 për qind një vit më parë.
