Kosova një hap më afër SEPA-s, priten kursime mbi 55 milionë euro në vit
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka mirëpritur miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit (AML/CFT), duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas BQK-së, miratimi i këtij ligji përmbush një nga kushtet kryesore legjislative për avancimin e procesit të integrimit në SEPA, i cili kishte nisur me paraaplikimin e Kosovës në vitin 2024.
Pas hyrjes në fuqi të ligjit, BQK-ja do të nxjerrë rregulloret përkatëse dhe do të finalizojë përditësimin teknik të aplikimit, duke përfshirë edhe ndryshimet e ndërkohshme në legjislacionin evropian.
Me përfundimin e këtyre procedurave, aplikimi i Kosovës do t’u dorëzohet institucioneve kompetente evropiane për shqyrtim.
Ndërkohë, Banka Qendrore, në bashkëpunim me sektorin bankar, po vazhdon përgatitjet për zbatimin e skemave të pagesave SEPA.
Çfarë përfiton Kosova nga anëtarësimi në SEPA?
Përfshirja e Kosovës në SEPA pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme për qytetarët, bizneset dhe diasporën, duke mundësuar transfere ndërkufitare në euro më të shpejta, më të thjeshta dhe me kosto më të ulët.
Sipas vlerësimeve të BQK-së, kursimet nga përfshirja në këtë sistem mund të tejkalojnë 55 milionë euro në vit, duke lehtësuar veçanërisht dërgesat financiare nga diaspora dhe pagesat ndërkombëtare të bizneseve.
BQK-ja ka ritheksuar përkushtimin që procesi të avancojë sa më shpejt, në koordinim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse evropiane.
