Kosova nis licencimin e bizneseve të kriptovalutave, kërkohet modernizimi i ligjit

12.07.2026

Kosova ka nisur procesin e licencimit të bizneseve që operojnë në fushën e kriptovalutave, ndërsa ekspertët vlerësojnë se kuadri ligjor duhet të përditësohet për t’iu përshtatur zhvillimeve të shpejta të teknologjisë.

Kosova nis licencimin e bizneseve të kriptovalutave, kërkohet modernizimi i ligjit Foto: Ilustrim

Në kuadër të mbikëqyrjes së tregut, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka mbyllur rreth 10 biznese të kriptovalutave dhe këmbimoreve gjatë kësaj jave. Inspektimet janë pjesë e një plani operacional që parasheh kontrollin e mbi 268 bizneseve të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.

Procesi i licencimit po zhvillohet nga Banka Qendrore e Kosovës, bazuar në ligjin për kriptovalutat, i cili synon rregullimin e tregut, mbrojtjen e konsumatorëve dhe përafrimin me standardet evropiane.

Për marrjen e licencës, bizneset duhet të plotësojnë disa kushte, përfshirë strukturën drejtuese, kriteret për themeluesit dhe bordet, si dhe kërkesat financiare. Sipas njohësve të kësaj fushe, aplikimi kushton 5 mijë euro, ndërsa kompanitë duhet të kenë edhe një depozitë prej 160 mijë eurosh si garanci për mbrojtjen e klientëve në rast të dëmeve eventuale.

Ekspertët thonë se ligji aktual është një hap i rëndësishëm për rregullimin e tregut, por ka nevojë për ndryshime, veçanërisht në aspektin tatimor, edukimit financiar dhe përshtatjes me zhvillimet e reja teknologjike.

Sipas tyre, një rishikim i ligjit do të mundësonte edhe krijimin e kushteve më të mira për ardhjen e kompanive të mëdha ndërkombëtare të kriptovalutave në Kosovë.

Kosova konsiderohet ndër vendet me interesim të lartë për kriptovaluta në rajon, por ekspertët theksojnë se përdoruesit ende përballen me sfida për shkak të kompleksitetit teknik të investimeve në këtë treg.