Sot në Hagë mbahet protestë në përkrahje të ish-luftëtarëve të UÇK-së

14.09.2025

Sot në Hagë pritet të mbahet një protestë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).

Në protestë pritet të marrin pjesë një numër i madh bashkëluftëtarësh të UÇK-së, mërgimtarësh dhe qytetarësh shqiptarë nga troje të ndryshme, të cilët do të shprehin përkrahjen e tyre për ish-luftëtarët që aktualisht ndodhen në paraburgim dhe po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

Sipas organizatorëve, protesta do të jetë paqësore dhe do të karakterizohet me shpalosjen e rreth 100 parullave dhe sloganeve në gjuhën angleze, me qëllim që mesazhi i tyre të arrijë edhe te opinioni ndërkombëtar.

OVL-UÇK ka bërë thirrje që pjesëmarrësit ta zhvillojnë protestën në mënyrë të qetë, duke respektuar parimet demokratike dhe të drejtën për shprehje të lirë.