Thirrjet kundër gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së arrijnë në Strasburg
Pas protestave në disa qytete të Evropës, ankesat kundër gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë arritur në Strasburg, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Organizatorët pretendojnë se në këtë protestë do të marrin pjesë rreth gjashtë mijë persona, shumica të dalë nga kategoritë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Qëllimi i tubimit është shprehja e pakënaqësive ndaj procesit gjyqësor ndaj ish-eprorëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjyqi ndaj tyre nisi në vitin 2023 dhe aktualisht po shkon drejt përfundimit, ndërsa të gjithë të akuzuarit e mohojnë fajësinë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Protesta në Strasburg vjen pas demonstratave të ngjashme që u mbajtën më parë në Tiranë, Hagë e Prishtinë. Sipas organizatorëve, kjo është një mënyrë për t’i bashkuar shqiptarët “aty ku nisi saga e padrejtë ndaj historisë sonë”.
Sfondi i gjykimit është një raport i vitit 2010, i hartuar nga senatori zviceran Dick Marty dhe miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, i cili pretendonte përfshirjen e udhëheqësve të UÇK-së në trafikim me organe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Ky raport çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara në vitin 2015, për të hetuar pretendimet për krime ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë.
Gjyqi në Hagë ka vazhduar për mbi dy vite, me dëshmi të ndryshme në favor të mbrojtjes. Në shtator, për të mbrojtur ish-presidentin Thaçi dëshmuan ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje, Paul Williams, i dërguari i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Chris Hill, dhe ish-diplomati britanik John Stewart Duncan. Të gjithë këta thanë se Thaçi nuk kishte autoritet mbi veprimet e UÇK-së.
Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve, ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në Kosovë dhe pjesërisht në veri të Shqipërisë. Sipas Dhomave të Specializuara, të akuzuarit mbajnë përgjegjësi penale personale, ndërsa mbrojtja argumenton se aktakuza bazohet në keqinterpretim selektiv të ngjarjeve dhe se UÇK-ja nuk do të kishte marrë mbështetje ndërkombëtare nëse do të kishte pasur një plan kriminal.
Gjykata Speciale pret që procesi ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së të përfundojë deri në fund të dhjetorit.