Gruda pas vizitës në Hagë: 16 shtatori do të jetë dita e lirisë për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

19.08.2026

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka bërë të ditur se ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, Gruda tha se Thaçi ishte në disponim të mirë dhe me vullnet të madh, ndërsa theksoi se gjatë takimit kanë biseduar për tema të ndryshme.

“Kthjelltësia, intuita dhe forca e tij janë të jashtëzakonshme”, shkroi Gruda.

Ai tha se nga vizita në Hagë është larguar me ndjenjën se pas tij po mbetet “jo thjesht një njeri, por një pjesë e historisë më të re të Kosovës dhe lirisë sonë”.

Gruda u shpreh optimist edhe për të ardhmen e ish-krerëve të UÇK-së, duke deklaruar se 16 shtatori do të jetë “dita e lirisë” për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.