Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

30.09.2025

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte. Seanca e radhës parashihet të nisë në orën 09:00 dhe do të fokusohet në paraqitjen e mëtejshme të provave nga dëshmitarët e thirrur nga ana e mbrojtjes.

Gjatë kësaj jave, në sallën e gjyqit pritet të paraqiten dy dëshmitarë të rinj. Kjo pason dy javët e fundit, gjatë të cilave kanë dëshmuar tre dëshmitarë të mbrojtjes. Njëri prej tyre ishte John Duncan, ish-punonjës i shërbimit diplomatik të Britanisë së Madhe, i cili dëshmoi kryesisht në seancë publike.

Procesi ndaj Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit vazhdon në kuadër të akuzave për krime të rënda ndërkombëtare, për të cilat Prokuroria Speciale pretendon se të akuzuarit kanë luajtur role të rëndësishme dhe mund të përballen me dënime të rënda nëse shpallen fajtorë.

Trupi Gjykues, më 18 shtator, vendosi të vazhdojë masën e paraburgimit për Selimin, Veselin dhe Krasniqin, duke theksuar se ekzistojnë ende rreziqe që ata të ndikojnë në procesin gjyqësor apo të kryejnë vepra të tjera penale. Gjykata konstatoi gjithashtu se posedimi i informacionit të ndjeshëm nga ana e të akuzuarve paraqet rrezik për dëshmitarët që kanë dëshmuar apo pritet të dëshmojnë në proceset aktuale dhe ato paralele.

Në mënyrë të veçantë, për Rexhep Selimin, Trupi Gjykues rikujtoi se ka pasur raste kur ai ka nxjerrë informacion konfidencial tek palë të paautorizuara, çka përforcon bindjen se lirimi i tij paraqet rrezik për ecurinë e drejtësisë.

Gjykata theksoi se ndonëse të akuzuarit ndodhen në paraburgim për një periudhë të gjatë, masa mbetet e justifikuar për shkak të natyrës së rëndë të akuzave dhe nevojës për mbrojtjen e dëshmitarëve si dhe integritetin e procesit.

Procesi gjyqësor do të vazhdojë me paraqitjen e dëshmive të reja, ndërsa publiku dhe mediat mbeten të fokusuar tek zhvillimet në Hagë që pritet të kenë ndikim të madh në kujtesën historike dhe politike të pasluftës në Kosovë.