Skandali i spiunazhit: Arrestohen në Kroaci, piloti i KFOR-it dhe e dashura e tij serbe
Një histori spiunazhi që lidh Kosovën, Serbinë dhe Kroacinë ka dalë në dritë.
Një piloti i Forcave Ajrore Kroate, i identifikuar si JA, dhe partnerja e tij, një shtetase serbe nga Mitrovica, AM, janë arrestuar në një ishull kroat nën akuzën e spiunazhit në favor të Serbisë.
Sipas hetimeve, piloti kroat, i cili ishte i angazhuar në misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, i kishte dhënë partneres së tij informacione konfidenciale. Ajo, më pas, i kishte kaluar këto informacione te anëtarë të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, shkruan SuharekaOnline.
Ky bashkëpunim dyshohet se ka zgjatur nga fundi i vitit 2022 deri në këtë vit. Mesazhet mes tyre shkëmbeheshin përmes aplikacionit WhatsApp.
Informacionet e dhëna nga piloti kroat përfshinin të dhëna për situatën në Zubin Potok, një zonë në veri të Kosovës që shpesh ka qenë pikë nevralgjike e tensioneve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.
Gjithashtu, ai kishte dhënë detaje edhe për transportin e Dejan Pantiç, një ish-zyrtari serb i policisë së Kosovës, i cili ishte arrestuar për sulme ndaj anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Mitrovicës.
Ky rast ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë dhe ndikimin e mundshëm të rrjeteve të tilla në stabilitetin e rajonit. Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar të gjithë përmasat e këtij rrjeti spiunazhi.
Arrestohet në Merdare nën dyshimin për spiunazh, në Dragash i gjenden 39,500 euro dhe katër telefona