Arrestohet në Merdare nën dyshimin për spiunazh, në Dragash i gjenden 39,500 euro dhe katër telefona

13.08.2026

Policia e Kosovës ka arrestuar sot në pikën kufitare në Merdare një person me inicialet F. S., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”.

Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë me aktvendim të Prokurorisë Speciale.

Pas arrestimit, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontroll në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.

Gjatë bastisjes, janë gjetur dhe sekuestruar 39 mijë e 500 euro para të gatshme, 500 dinarë, katër telefona celularë si dhe dokumente të ndryshme që konsiderohen relevante për rastin.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Policia e Kosovës, Prokuroria Speciale dhe institucionet e tjera të sigurisë kanë deklaruar se do të vazhdojnë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore lidhur me rastin.