Ekstradohet nga Kroacia në Kosovë një person i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar
Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin nga Kroacia në Kosovë të një shtetasi kosovar, i cili kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar për përfshirje në veprën penale “Dhunimi”.
Foto: Ilustrim
Ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Personi i ekstraduar më 15 gusht është dorëzuar te njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, ku do të vijohen procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të identifikimit, kapjes dhe sjelljes para drejtësisë së personave të kërkuar për vepra penale.
