Së paku 3 muaj pritje për letërnjoftim, MPB hesht
- 17.08.2021

Qytetarët e Republikës së Kosovës janë duke u përballur me pritje të mëdha për t’u pajisur me letërnjoftime.
Kjo pasiqë ka mungesë të materialeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) për prodhimin e letërnjoftimeve, ku për këtë kjo ministri ka marrur vendim që pavarësisht afatit të skadimit të letërnjoftimi, dokumenti identifikues të konsiderohet i vlefshëm edhe për gjashtë muaj.
Pritje të tilla qytetarët kanë pasur edhe gjatë muajve shtator dhe tetor të vitit të kaluar.
Natyrisht se si pasojë e këtyre pritjeve, qytetarët kanë ankesa të shumta për institucione pasi që pritjet janë shumë të gjata për një pajisje me dokument identifikues, letërnjoftim.
Një qytetar ka aplikuar për pajisjen me letërnjoftim, ai ka thënë për KosovaPress se përkundër faktit se ka mungesë të materialit për prodhimin e letërnjoftimeve, interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me këtë dokument është i madh.
Të njëjtit në Qendrën e Regjistrit Civil, i është thënë se për t’u pajisur me letërnjoftim duhet të presë deri në 3 muaj.
Qytetari ka shtuar se kanë pritur rreth 40 minuta për aplikim për letërnjoftim.
“Sot na u dashtë me prit në radhë për aplikim për letërnjoftim diku 40 minuta përafërsisht, mirëpo na duhet me prit 3 muaj sepse material nuk ka. Nuk është e sigurt 3 muaj, mundet të vazhdojë edhe më shumë”, thotë ai.
Problemi i njëjtë për pajisjen me letërnjoftim po vazhdon të jetë edhe për një qytetar tjetër.
Për këto çështje lidhur me mungesën e materialit për prodhimin e letërnjoftimit, KosovaPress ka tentuar të marrë informacione nga Ministria e Punëve të Brendshme, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.