Serbia refuzon vizitën zyrtare të ministrit Sveçla në Luginën e Preshevës
Qeveria e Serbisë ka refuzuar kërkesën për vizitën zyrtare të Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, z. Xhelal Sveçla, në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc, e planifikuar për datat 23 dhe 24 dhjetor 2024.
Foto: Ilustrim
Vizita ishte parashikuar të përfshinte takime me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës (KKSH) në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, në përputhje me procedurat e Marrëveshjes së Brukselit për vizita zyrtare.
Qeveria e Serbisë ka përdorur si pretekst për refuzim “qëndrimet dhe veprimet” e ministrit Sveçla, të cilat, sipas tyre, “cenojnë komunitetin serb në Kosovë dhe përpjekjet për normalizim dhe stabilitet”. Ky veprim pason një seri refuzimesh nga Serbia për vizitat e zyrtarëve të lartë të Republikës së Kosovës gjatë dy viteve të fundit.
Serbia ka refuzuar në mënyrë të përsëritur vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Luginën e Preshevës. Përveç vizitës së z. Sveçla, më 19 dhjetor 2024, është refuzuar edhe vizita e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku. Po ashtu, vizita e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, e parashikuar për më 27 shkurt 2024, për një event për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, u anulua pa arsyetim të vlefshëm vetëm disa orë para mbërritjes së saj.