Sveçla pas vizitës në veri: “Sukseset tona u takojnë atyre që sakrifikojnë për sigurinë e Republikës”
Në përmbyllje të vitit 2024, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, dhe Zëvendësdrejtorin, Fehmi Hoti, vizituan zyrtarët e Policisë së Kosovës në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Veriut.
Gjatë vizitës, Ministri Sveçla shprehu mirënjohjen për përkushtimin e zyrtarëve policorë që veprojnë në çdo cep të vendit. Ai vlerësoi punën e palodhshme të policisë, e cila garanton sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës së Kosovës.
“Sukseset e Republikës sonë u takojnë atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën e tyre për sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim dhe vendit tonë,” tha Sveçla.
Në sheshin e Mitrovicës së Veriut, delegacioni pati rastin të takohej me fëmijë që, sipas Sveçlës, “me ngazëllim presin ndërrimin e motmotit”. Ministri theksoi se puna e institucioneve u dedikohet të ardhmes së këtyre fëmijëve dhe sigurisë së tyre.
Ministri Sveçla vizitoi gjithashtu Ramadan Behramin në Kroin e Vitakut, një qytetar që ka përballuar sfida dhe kërcënime të vazhdueshme, por që falë mbështetjes së Qeverisë së Kosovës, tashmë do të festojë vitin e ri në shtëpinë e tij të re.
“Kjo është një dëshmi e përkushtimit tonë për t’i mbështetur qytetarët tanë, veçanërisht ata që përballen me sfida të mëdha për të ruajtur pronën dhe dinjitetin e tyre,” theksoi Sveçla.
Në përmbyllje, Ministri Sveçla falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për stabilitetin e vendit gjatë vitit 2024, duke uruar që vitin 2025 ta presim me suksese të reja dhe të përbashkëta për të mirën e Republikës së Kosovës.
“Sfidat e vitit 2024 na kanë forcuar. Në vitin 2025 uroj të gëzojmë suksese të përbashkëta, për Republikën tonë,” përfundoi ai.